Tiranë, 8 Dhjetor 2017: Porsche Albania dhe Porsche Leasing mbjellin 870 fidanë pishe në parkun e Liqenit të Farkës.

2017-12-11

 

  • Tiranë, 8 Dhjetor 2017: Porsche Albania dhe Porsche Leasing mbjellin 870 fidanë pishe në parkun e Liqenit të Farkës.
  • 1 Pemë për çdo makinë të shitur gjatë vitit 2017.
  • Porsche Albania kompania më e madhe në tregun automobilistik Shqiptar, vazhdimisht ka sjellë risi dhe nisma në mbështetje të ambientit dhe komunitetit.

 

 

 

Eshtë fakt që Shqipëria ka një problem të madh me ndotjen ambientale. Nëse bëjmë një analizë të thjeshtë për të përjashtuar burimet e ndotjes, ku industria eleminohet për shkak se nuk kemi sektorë të zhvilluar industrial me shkallë të lartë emetimi, prodhimi i energjisë në mbi 98% të tij është falë potencialeve hidrike të vendit pra me 0 emetime,  faktorët kryesor të ndotjes janë: shpyllëzimi, pra prerja pa kriter e masiveve pyjore ku përveç dëmtimit të mushkrive të vendit pemët e prera lëshojnë në atmosferë dioksidin e karbonit të ruajtur në masën e drurit, ashtu edhe transporti.

 

Nevoja për lëvizhmëri ende prodhon ndotje ambientale. Ekuacioni i thjeshtë ku mosha e makinës është në përpjestim të drejtë me nivelin e ndotjes që prodhon për kilometër, bëhet më i prekshëm në vendin tonë kur shohim që mosha mesatare e makinave në rrugë është rreth 20 vjet. Të gjithë aktorët e tregut të makinave të reja luajnë një rol të rëndësishëm kur sjellin në rrugët tona jo vetëm makina më të sigurta por edhe me nivel shumë herë më të ulët të ndotjes në krahasim me makinat e përdorura që qarkullojnë në vend.

 

Në Porsche Albania (kompania më e madhe në tregun e makinave të reja në vend ku afërsisht në çdo 3 makina të reja të shitura në Shqipëri 1 vjen nga Porsche Albania) vendosëm të jepnim një mesazh sa simbolik aq edhe të dobisëm, duke i shtuar kurorës së gjelbër të kryeqytetit (njëkohësisht edhe qyteti me nivelin më të lartë të ndotjes në vend) 870 fidanë pishe.

 

Në kuadër të kësaj nisme, për çdo makinë të shitur (ose planifikuar për t'u shitur deri në 31 Dhjetor 2017) Porsche Albania dhe Porsche Leasing mbollën 1 fidan në parkun pranë liqenit të Farkës. 870 makina të shitura përkthehen në 870 pemë që i shtohen mushkrive të qytetit.

 

Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Agjensinë e Parqeve dhe Rekreacionit, ditën e premte dt. 8 Dhjetor, ekipi i Porsche Albanias dhe Porsche Leasing mbollën 870 pemë në pjesën veriore të parkut në liqenin e Farkës.

 

Nisma e paralajmëruar në rrjetet sociale solli edhe shumë klientë, bashkëpuntor si edhe miq te Porsche Albanias apo mjedisit të cilët në mbikqyerjen e punonjësve të APR mbollën fidanin e tyre në park.

 

Një nisëm rëndësia e të cilës është jo vetëm simbolike. Këto fidanë (sot) do të jenë nesër pemë të cilat me një përllogaritje të përafërt do të largojnë nga ajri rreth 33 ton CO2 si edhe do të prodhojnë rreth 87 Ton Oksigjen.

 

Nuk është hera e parë për ne që tregojmë ndjeshmëri dhe përgjegjësi ndaj ambjentit dhe temave të ekologjisë. Janë disa nisma që ndër vite kemi marrë për të ulur ose zeruar impaktin në mjedis. Ndër më kryesoret mund të përmend: Prezantimin për herë të parë në vend të makinave elektrike me 0 emetime në ambient, prezantimin e makinave hibride apo fushatat e suksesshme si ajo e SKODA-s ku për çdo makinë të vjetër të çregjistruar (e cila shkonte për riciklim) klientët përfitonin një bonus mbi cmimin e blerjes së makinës së tyre të re.

 

Paralelisht ne krenohemi që pothuajse çdo mbetje industriale nga aktiviteti si prsh vaji i makinave, bateritë, pjesët metalike apo plastike, letra apo kartonë riciklohen nga kompani të liçensuara për trajtimin e këtyre mbetjeve.

 

Gjithashtu duke filluar nga numri i Dhjetorit të këtij viti e në vazhdim, revista e Porsche Albania-s 'Drive' do të printohet në letër 100% të ricikluar. Po studiohet mundësia e përdorimit të letrës së riciklueshme në çdo proçes të punës (prsh. faturat e servisit, dokumentacion etj). Një veçori tjetër janë kartolinat e fundvitit të cilat jo vetëm do të prodhohen në letër të ricikluar por do të mbartin edhe dicka shumë simbolike.

 

Përsa i përket bashkëpunimit me institucionet, prej disa muajsh kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm si me Bashkinë e Tiranës ashtu edhe me APR për të detajuar termat e bashkëpunimit. Çdo detaj ka kaluar në sitën e imët të specialistëve të APR të cilët na kanë mbështetur si edhe kanë koordinuar proçesin nga ana teknike.

 

Na vjen mirë që kjo nisëm e jona gjeti jehonë në Bashkinë e Tiranë dhe na pëlqen të mendojmë që kemi qenë frymëzues në nismën e kryetarit Veliaj ku ftoheshin të gjithë aktorët e tregut të makinave të mbillnin një sasi pemësh për makinat e shitura.