Historia e Porsche Albania

NGA VITI 2005 DERI MË SOT

Porsche Albania

Në vitin 2005, në një Shqipëri që po përjetonte një periudhë të rëndësishme transformimi dhe po hidhte hapa drejt Evropës, Porsche Holding vendosi të investojë në tregun shqiptar. Ishte një vend me potencial të madh, por edhe me një treg automobilistik ende në zhvillim, ku standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe shërbimit sapo kishin filluar të merrnin formë.

Me përvojën dhe standardet e një prej grupeve më të mëdha automobilistike në Evropë, Porsche Holding solli në Shqipëri një mënyrë të re të të bërit biznes – të mbështetur në cilësi, transparencë, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj klientit. Kështu nisi në vitin 2005 rrugëtimi i Porsche Albania, me përfaqësimin e dy markave të para: Audi dhe SEAT.

Fillimet nuk ishin të lehta. Tregu automobilistik shqiptar ishte ende i pastrukturuar, infrastruktura në zhvillim dhe automjetet e reja konsideroheshin ende një luks për shumë shqiptarë. Për Porsche Albania, sfida nuk ishte vetëm të sillte marka të njohura ndërkombëtare, por të ndërtonte një standard të ri në marrëdhënien me klientin.

Vetëm një vit më vonë, në 2006, portofolit iu bashkua ŠKODA. Kjo shënoi hapin e parë të zgjerimit të kompanisë dhe fillimin e një vizioni më të gjerë: të ofronte zgjidhje për nevoja dhe kategori të ndryshme të tregut shqiptar.

Në vitin 2008, Porsche Albania zgjeroi më tej aktivitetin me Volkswagen Commercial Vehicles. Me këtë hap, kompania hyri edhe në segmentin e automjeteve tregtare, duke iu përgjigjur nevojave të bizneseve dhe profesionistëve shqiptarë.

Katër vite më vonë, në vitin 2012, Volkswagen Passenger Cars iu bashkua portofolit. Me këtë zgjerim, Porsche Albania konsolidoi përfaqësimin e markave kryesore të Volkswagen Group në Shqipëri dhe ndërtoi një ofertë më të plotë për tregun.

Në vitin 2013, ky vizion u zgjerua përtej automjeteve. Me integrimin e Porsche Leasing, Porsche Albania krijoi një qasje “One Stop Shop”, duke kombinuar shitjen e automjeteve me zgjidhje financiare dhe shërbime të integruara. Kjo e bëri përvojën e klientit më të plotë dhe krijoi një ekosistem që shtrihej përtej momentit të blerjes.

Gjatë viteve që pasuan, Porsche Albania vazhdoi të rritej së bashku me tregun shqiptar. Teknologjia dhe inovacioni u bënë pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e këtij transformimi. Në vitin 2016, kompania prezantoi automjetin e parë elektrik në Shqipëri, duke sjellë në treg një koncept të ri të lëvizshmërisë dhe duke hapur rrugën drejt elektrifikimit.

Në të njëjtën periudhë, Porsche Albania investoi edhe në digjitalizim. Krijimi i “Makina ime”, një prej aplikacioneve të para automotive në Shqipëri, ishte një tjetër hap drejt një marrëdhënieje më të drejtpërdrejtë dhe më moderne me klientin. Me kalimin e viteve, digjitalizimi u shtri edhe në proceset e brendshme të kompanisë, duke transformuar mënyrën e punës dhe të komunikimit.

Por zhvillimi nuk është matur vetëm me rritjen e kompanisë apo numrin e markave. Për Porsche Albania, përgjegjësia ndaj mjedisit është bërë një pjesë e rëndësishme e strategjisë së saj. Përmes zbatimit të parimeve të ekonomisë qarkulluese, riciklimit të rreth 90% të mbetjeve dhe instalimit të paneleve diellore që gjenerojnë një pjesë të konsiderueshme të energjisë së nevojshme për aktivitetin e kompanisë, ajo ka ndërmarrë hapa konkretë drejt një modeli më të qëndrueshëm biznesi.

Megjithatë, pas çdo marke, çdo automjeti dhe çdo zhvillimi teknologjik, qëndrojnë njerëzit. Janë njerëzit ata që e kanë ndërtuar Porsche Albania që nga ditët e para. Ata që përjetuan fillimet, sfidat dhe transformimin e tregut. Ata që u rritën bashkë me kompaninë dhe ata që sot sjellin perspektivën e një gjenerate të re.

Gjatë 20 viteve, Porsche Albania është zhvilluar së bashku me Shqipërinë. Nga një treg në fillimet e tij, ku automjetet e reja ishin ende një risi, deri te një treg ku klientët kërkojnë teknologji, fleksibilitet, shërbim të personalizuar dhe mundësi për të kryer një pjesë gjithnjë e më të madhe të procesit online.

Sot, edhe koncepti i lëvizshmërisë po ndryshon. Makina nuk është më thjesht një mjet transporti. Ajo është pjesë e një përvoje më të gjerë, të lidhur me teknologjinë, digjitalizimin dhe mënyrën se si jetojmë. Porsche Albania po e ndjek këtë ndryshim duke investuar në mënyra të reja komunikimi dhe shërbimi, përfshirë TEO, asistentin virtual që e afron edhe më shumë klientin me kompaninë dhe mundëson asistencë përgjatë procesit të blerjes së një automjeti, deri edhe online.

Njëzet vite mund të duken si një kohë e gjatë. Por për Porsche Albania, ato janë historia e një kompanie që ka ndryshuar bashkë me tregun, ka sjellë marka dhe standarde të reja dhe ka ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme me klientët e saj.

Nga Audi dhe SEAT në vitin 2005, te ŠKODA në 2006, Volkswagen Commercial Vehicles në 2008 dhe Volkswagen Passenger Cars në 2012. Nga shërbimet financiare të Porsche Leasing në 2013, te elektrifikimi, digjitalizimi dhe zgjidhjet e reja të lëvizshmërisë. Çdo hap ka qenë pjesë e të njëjtit udhëtim. Një udhëtim i ndërtuar mbi guximin për të besuar, përkushtimin për të ndërtuar dhe njerëzit që e kanë bërë të mundur.

Sot, pas 20 vitesh, historia vazhdon.

Sepse e ardhmja e lëvizshmërisë nuk është diçka që thjesht e presim. Është diçka që ndërtojmë, çdo ditë.