Një SUV Spanjoll
Një SUV Spanjoll
SEAT i hyn "luftës" së SUV, me Ateca, që starton nga 19.000 Euro Modeli i parë i SEAT në tregun në rritje të SUV, Ateca më në fund ka mbërritur.
Rivali i Renault Kadjar dhe Nissan Qashqai tashmë mund të porositet dhe do të jetë në sallone duke nisur nga muaji shtator.
Ateca do të jetë kolona e tretë e markës spanjolle bashkë me Ibiza dhe Leon.
Do te jetë kështu Ateca modeli i parë i serisë SUV për SEAT, me të paktën 2 modele të tjerë në muajt në vijim. Sipas drejtorit të SEAT Luca de Meo, Ateca do e ndihmojë markën të hedhë një hap tjetër përpara duke përmirësuar më tej imazhin.
SEAT Ateca është një SUV i mesëm me gjatësi 4.36 metër, me dizajn dinamik, bazuar në suksesin e SEAT Leon dhe me shumë risi teknologjike të gjeneratës së fundit.
Një gamë e gjerë motorësh eficient me naftë dhe benzinë, kombinuar me sistem tërheqje 4x4 dhe kambio automatike DSG do ta fusë SEAT në një territor të ri për markën spanjolle.
"Kemi përshtatur gjuhën e dizajnit për SUV-in tonë të parë,- thotë shefi i dizajnit Alejandro Mesonero. - Kjo makinë do të jetë si vëllai i madh për Leon-in, por ndryshime të forta do të pasojnë në 18 muajt e ardhshëm me modelet e reja.
Ndjesia sapo hyn në makinë është ajo e një hapësire të bollshme dhe një bagazh me kapacitet prej 510 litrash. Variantet 4x4 e reduktojnë kapacitetin në 485 litra, por gjithsesi duke lënë pas 430 litrat e Nissan Qashqai dhe 472 të Renault Kadjar.
Brenda, Ateca ka një pamje familjare me Leon, me ekranin e madh të montuar lart në qendër të kroskotit. Do të jetë 5 inch në seri për versionin bazë, ndërsa me pagesë ofrohen edhe variantet 6.5 dhe 8 inch. Opsionet përfshijnë "SEAT Full Link", që përmban lidhje të plotë me smartphone, aplikacionet Android Auto ose Apple Car Play, si dhe karikim"wireless".
Motori hyrës i benzinës do të jetë 1. 0TSI me 3 cilindra turbo me 115 kuaj fuqi. Është një motor i vogël, por me fuqi të mjaftueshme për ata klientë që nuk kanë ekzigjenca specifike. Pas tij vjen 1.4 Eco TSI me 150 kuaj fuqi, i njëjti që kemi parë te VW Golf dhe SEAT Leon, që është në gjendje të bllokojë 2 cilindra për të kursyer karburant në trafikun e qytetit.
Motorët me naftë pritet të jenë gjithsesi më të shiturit duke nisur nga 1.6 TDI me 115 kuaj fuqi me rrota aktive përpara për të kaluar te 2.0 TDI që ofrohet me 150 dhe 190 kuaj fuqi. Motorët janë të gjithë EURO6 Plus dhe më i fuqishmi emeton vetëm 131g/km.
Modelet me katër rrota aktive do të quhen "4 Drive" dhe do të ofrohen te motorët 1.4 TSI dhe 2.0 TDI ashtu si edhe kambio automatike.
Ateca do të ketë edhe një listë të gjatë të pajisjeve të sigurisë, duke përfshirë aftësinë për të ecur vetë në situata trafiku stop-start dhe monitorim të drejtuesit të mjetit. Makina mund të ndalë plotësisht nëse drejtuesi i mjetit nuk është i vëmendshëm. Do të ofrohen gjithashtu sensori i shenjave të trafikut, kamera 360 gradë dhe sinjalizues për këndin e padukshëm.
Ateca, që do të prodhohet bashkë me modelin e ri Skoda Yeti në Republikën Çeke, është i pari nga 3 SUV-ët që SEAT do të prezantojë në muajt e ardhshëm. I dyti pritet të bazohet mbi modelin Ibiza duke rivalizuar Nissan Juke dhe Renault Captur, ndërsa i treti do të jetë një 7-vendesh i bazuar në konceptin "20 V 20" të prezantuar në Geneva Motor Show në vitin 2015.