Audi 100LS

2020-01-10

Kohët e fundit, në sallonin e Audi pranë Porsche Albania, gjendet një makinë e cila tërheq vëmendjen e të gjithëve. Një makinë të cilën rrallë e shikon në rrugë por që nuk mungon asnjëherë në evente që lidhen me makinat e vjetra klasike. Në eventin e fundit organizuar nga DPSHTR që i kushtohet këtyre makinave në vendin tonë, sigurisht që nuk mungoi as makina në fjalë.

Kjo linjë është prezantuar për herë të parë për publikun në 26 nëntor të vitit 1968, duke u bërë makina e parë më e madhe e segmentit të madh prodhuar që prej vitit 1965, vit kur Volkswagen bleu Audi. Ajo doli në treg në 3 versione, sedan me 4 dyer, sedan me 2 dyer dhe versioni Coupé S. Është pikërisht Audi 100, prodhimi i të cilit (series së 4 të tij C4) përfundoi në vitin 1994. Një makinë e cila është e para Audi e shitur në SHBA, nuk ishte e shtrenjtë apo super e fuqishme, por ishte e rrallë; nga 1 milion makina të "parkut" të kompaninë Hagerty, e cila merret me policat e sigurimit për makinat klasike, vetëm 6 nga to janë Audi 100LS.

Të mirëmbash një makinë të tillë është sa kënaqësi edhe mund. Është kënaqësi, sepse je pjesë e një copëze të historisë mes masivizimit të transportit dhe zhvillimit të teknologjive të reja automotive. Mund, sepse makina të tilla kërkojnë vëmendje të cilën vetëm antuziastët e markës dhe makinave klasike mund t'ia japin.

Në vendin tonë është pak e rrallë të dëgjosh për koleksionistë apo njerëz me të vërtetë të apasoinuar pas makinave historike e klasike, e për më tepër për brande, makinat klasike të të cilave nuk kanë qenë shumë të njohura për Shqipërinë komuniste, e si rrjedhojë edhe për atë post-komuniste.

Por ky nuk është rasti i Arlind Peçit. Ai është diplomuar si inxhinier mekanik pranë Universitetit Politeknik të Tiranës dhe ka një eksperiencë mbi 7 vjeçare në këtë fushë. Para 2 vitesh ai bleu në Greqi një Audi 100LS me qëllimin që t'a restauronte dhe t'a sillte në formën e saj optimale, pas vitesh lënie pas dore nga pronari i mëparshëm. Në prill 2019 Audi 100LS tërësisht i restauruar u ekspozua në eventin e parë të organizuar nga Retro.al ku mori një vëmendje të veçantë për shkak të të qënit unik në llojin e vet.

Arlindi gjithashtu ka edhe 3 makina Audi të tjera si Audi S6 C4, Audi S2 Coupe dhe Audi 80 Competition e cila është makina që ai përdor për përdita.

Në fillim të muajit shtator, teksa u publikua një vend i ri pune pranë Porsche Albania, emri i Arlindit spikati si një njohës i mirë, jo vetëm i makinave në tërësi por edhe i markës Audi në veçanti, duke dhënë një kontribut të vyer në shërbim ndaj klientëve tanë.

Tavolina e tij e punës ndodhet pikërisht aty ku zemra e tij qëndron, në sallonin e Audi ku ndodhet edhe krijesa që ai risolli në jetë me shumë përkushtim e mund.

Audi 100LS ngjyrë jeshile me sallonin e brendshëm ngjyrë bezhë dhe me motor 1800cc prodhim i vitit 1972, gjendet prej dy muajsh në sallonin tonë për kënaqësinë e të gjithë dashamirësve të automobilizmit.